Mob: +377 (0) 44 128 255
E-mail: dr.fatoskelmendi@hotmail.com

Dhimbja e shpinës

Dhimbja e shpinës është një sëmundje ekstreme, e shpeshtë dhe është arsyeja e dytë më e madhe, se pse pacientët kërkojnë ndihmë mjekësore. Në shumicën e rasteve, dhimbja e shpinës ka një prognozë të mirë.

 

Dhimbja e shpinës konsiderohet të jetë kronike, kur zgjat më shumë se tre muaj dhe akute, kur zgjat më pak se tre muaj. Dhimbja kronike e shpinës mund të jetë si pasojë e lëndimit, sëmundjeve degjenerative, hernisë diskale, sëmundjeve malinje etj. Dhimbja mund të ketë origjinë nga muskujt, ligamentet, fasetat, disku intervertebral eshtrat dhe nervat. Dhimbja mund të jetë topitëse, qarëse, shpuese apo jo qartë e definuar, derisa intensiteti mund të variojë nga i lehtë e deri në dhimbje të paduruara. Një anamnezë e marrë mirë nga pacienti dhe një ekzaminim neurologjik nga ana e neurokirurgut është i një rëndësie të veçantë.

 

Në varësi nga gjendja e pacientit atij/asaj i kërkohet të bëjë ekzaminime shtesë si:

 

1. Rtg L/S

2. CT kurrizi

3. MRI kurrizi

 

 

Trajtimi i dhimbjes së shpinës është ndërtuar nga disa modalitete si terapia fizikale, terapia medikamentoze, trajtimi operativ dhe kombinimi i këtyre modaliteteve.

 

Njëra prej arsyeve të shpeshta të dhimbjes së shpinës është hernia diskale lumbale, e cila mund te variojë prej asaj minimale, të shkallës së parë deri te forma më e rëndë e shkallës së katërt e që kërkon intervenim kirurgjik.

 

Një rëndësi të veçantë duhet kushtuar regjimit të shtratit gjatë fazës akute, të cilën duhet pasur parasysh çdo pacient.

 

Disa këshilla që duhen pasur parasysh:

 

1. Humbja e peshës së tepërt trupore e sidomos barkut, ngase barku i madh e rrit shtypjen në shtyllën kurrizore.

2. Mos pini duhan. Pirja e duhanit mund të interferojë me qarkullimin e gjakut në shtyllën kurrizore. Po ashtu kollitja konstante mund të sjellë deri te spazmi (bllokimi) i shtyllës kurrizore.

3. Zvogëlimi i stresit. Brengat ekonomike, presioni familjar, po ashtu mund të ndikojnë negativisht. Ushtrimet ditore janë metodë e shkëlqyer për t’u çliruar nga stresi.

4. Ecni në distanca të shkurtra, në vend se të voziteni me veturë.

5. Ecni shkallëve, në vend që të përdorni liftin.

6. Zgjidhni një sport, i cili nuk ju shkakton dhimbje shpine si p.sh: notimi, vozitja e biçikletës.

 

*Mbani mend: Në shumicën e rasteve, dhimbja e shpinës kalon me regjim shtrati dhe terapi medikamentoze.

 

Pacientët, që kanë simptomat e poshtëshënuara duhen të vizitohen te neurokirurgu:

 

1. Dhimbje, e cila nuk ju lejon të lëvizni.

2. Dhimbje, e cila përçohet përgjatë pjesës së pasme të këmbës.

3. Dhimbje e natës, e cila nuk ju lejon të flini.

4. Dhimbje, e cila rritet pavarësisht që ju keni qëndruar disa ditë i shtrirë në shtrat.

5. Dhimbje, e cila nuk kalon pavarësisht që ju keni qëndruar disa ditë i shtrirë në shtrat dhe keni marre terapinë bazë.

 

Pacientët, të cilët i kanë këto simptomat e poshtëshënuara duhen të vizitohen urgjent te neurokirurgu:

 

1. Vështirësi në kontrollimin e nevojës se vogël dhe nevojës së madhe.

2. Çrregullim i sensibilitetit (ndjeshmërisë) në regjionin anal.

3. Dhimbje, e cila është si pasojë e rrëzimit në shpinë.

4. Dhimbje e fortë, e të dy këmbëve dhe dobësim i tyre.

5. Dhimbje e fortë, e cila rritet gjatë disa orëve.

6. Vështirësi në mbajtjen e balancës dhe koordinimit.

 

 

Shpjegime skematike - Sjelljet në jetën e përditshme

 

Fotot e mëposhtme sqarojnë pozicionet e preferuara dhe jo te preferuara në jetën e përditshme.

Pozicionet me të kuqe nuk preferohen, ndërsa pozicionet me te gjelbër janë të preferuara.

 

 

Shpjegime skematike për ushtrimet fizikale

 

Ushtrimet fizikale duhet të bëhen çdo ditë për të mirëmbajtur forcën e muskujve të shtyllës kurrizore.

Terapia fizikale e ordinuar (caktuar) nga ana e Fiziatrit dhe e aplikuar nga ana e Fizioterapeutit shërben që ta mësojë pacientin t’i bëjë ushtrimet në mënyrë korrekte. Pacienti, pastaj duhet t’i bëjë ushtrimet fizikale çdo ditë që të prevenojë (parandalojë) rekurencën (përsëritjen) e kthimit te dhimbjes.

 

Kujdes: Gjatë fazës akute, kur keni dhimbje nuk duhet të bëni këto ushtrime. Ushtrimet bëhen pasi të kalojnë dhimbjet (faza akute) dhe qëllimi i tyre është që të mos ndodh prapë dhimbja e shpinës.